Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve që lidhen me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për tregun e lirë të energjisë elektrike, duke sqaruar se aktgjykimi i saj që kishte aprovuar padinë e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) nuk është rrëzuar dhe nuk është kthyer në rishqyrtim.
Sipas Gjykatës Supreme, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i referohet aktgjykimit P.A.nr.18/2025, me të cilin ishin shpallur të paligjshme dhe ishin shfuqizuar disa dispozita të udhëzuesve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe qasje efektive në drejtësi, duke vlerësuar se Gjykata Supreme ishte fokusuar kryesisht në formën juridike të dokumentit dhe jo në efektet konkrete juridike dhe ekonomike që ai prodhonte për palën paditëse.
Për pasojë, Kushtetuesja shpalli të pavlefshëm aktvendimin P.A.nr.24/2025 dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.Me atë aktgjykim, Gjykata Supreme kishte aprovuar kërkesëpadinë e OEK-së dhe kishte shpallur të paligjshëm nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike të vitit 2017, si dhe nenin 2 të udhëzuesit që ndryshonte dhe plotësonte këtë akt.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme kishte vlerësuar se mospërputhjet ndërmjet ligjit dhe akteve nënligjore kishin krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët dhe operatorët në tregun e energjisë elektrike, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen gjyqësore për mbrojtjen e sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë.