Supremja hedh poshtë kërkesën e të dyshuarit për krime lufte në Kosovë
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Supremja hedh poshtë kërkesën e të dyshuarit për krime lufte në Kosovë
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit R.M., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, kërkesa ishte drejtuar kundër aktvendimeve të mëparshme të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurin për një periudhë prej dy muajsh.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke theksuar rrezikun e mundshëm të ikjes së të pandehurit. Në arsyetimin e saj, gjykata ka marrë parasysh disa rrethana të rastit, përfshirë faktin se i pandehuri ka ndryshuar disa herë adresën e banimit, ka vendbanim të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedon dy shtetësi.
Sipas gjykatës, këto rrethana mund të lehtësojnë shmangien nga ndjekja penale, sidomos duke pasur parasysh mungesën e bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe shtetit tjetër ku ai ka vendbanim.
Po ashtu, Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Kosovës, pasi paraburgimi është caktuar nga gjykata kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa procedura penale ndaj të pandehurit ndodhet ende në fazën fillestare.