Stadiumi i kryeqytetit “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir për dy ndeshjet e raundit të tretë kualifikues të Ballkanit dhe Dritës në Ligën e Konferencës, që zhvillohen më 8, përkatësisht 15 gusht, si dhe ndeshjen e javës së parë të Superligës së Kosovës mes Prishtinës dhe Suharekës.
Lajmin e ka konfirmuar presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili e ka dhënë ‘dritën e gjelbër’ që këto ndeshje të zhvillohen në stadiumin e rinovuar, raporton KosovaPress.
“Ne si FFK i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për edicionin e ri garues dhe besoj se edhe klubet janë të gatshme. Uroj të gjitha skuadrat për një kampionat të rregullt, të frytshëm dhe të suksesshëm, e mbi të gjitha përplot emocione. Për një promovim sa më mirë të edicionit të ri edhe ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Suharekës 23 do të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri'”, ka shtuar Ademi.
Pas këtyre ndeshjeve fusha do të rikuperohet në mënyrë që të jetë e gatshme për ndeshjen e Kombëtares së Kosovës kundër Rumanisë në fillim të shtatorit.