Rreth orës 13:00 është raportuar për një rast sulmi në rrugën “Sylejman Vokshi” në Prishtinë. Policia e Kosovës menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat fillestare dyshohet që një i dyshuar ka shkaktuar dy aksidente trafiku dhe më pas ka sulmuar vozitësit e veturave të aksidentuara.
Ndërmarrja e veprimeve hetimore dhe veprimeve të tjera operative të kryera nga njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, ka rezultuar me identifikimin, si dhe arrestimin e të dyshuarit. I njëjti u arrestua në orët e pasdites në qytetin e Pejës, si rrjedhojë e bashkëpunimit operativ të zgjeruar. Ndërkohë që policia po punon në mënyrë aktive për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale sulm dhe dëmtim apo asgjësim i pasurisë.