Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj një të pandehuri për veprën penale sulmi, dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 1 mijë euro.
Në vendimin e publikuar nga Gjykata thuhet se i pandehuri me datë 11.08.2023 rreth orës 14:00 në sheshin “Shadërvan” në Prizren, saktësisht para Xhamisë “Sinan Pasha” me dashje kishte përdorur forcën ndaj të dëmtuarve V.K dhe Arbër L, në atë mënyrë që i dëmtuari V. në cilësinë e gazetarit të gazetës “Nacionale” ishte duke intervistuar qytetarët lidhur me protestën e organizuar kundër festivalit “Doku Fest”.
Në njoftim, thuhet se me këto veprime i dënuari ka kryer veprën penale të sulmit, me që rast gjykata ka shqiptuar dënim me gjobë pre 1 mijë euro, në të cilin dënim të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim në kohëzgjatje prej 18 ditëve, nga data 11.08,2023 deri më datë 28.08.2023.
Ndërsa pjesën e mbetur të dënimit me gjobë në shumë prej 640 euro, obligohet i akuzuari që ta paguaj brenda afatit prej 15 ditëve, nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, thuhet ndër të tjerash në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren.