Pavel shprehu "trishtimin e tij të madh" dhe "zemërimin për humbjen krejtësisht të panevojshme" të jetëve.
Të shtënat filluan rreth orës 15:00 sipas orës lokale (14:00 GMT) të enjten në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles pranë sheshit Jan Palach në qendër të kryeqytetit çek.
Në një video shihen turmat e njerëzve të tmerruar duke ikur nga ura historike e Charles të qytetit, një atraksion i madh turistik.
Brenda ndërtesës, studenti Jakob Weizman përdori karrige dhe tavolina për të barrikaduar derën e klasës ku ishte me një mësues kur filluan të shtënat.
Përfundimisht Weziman dhe mësuesi u evakuuan nga policia. "Ndërsa po dilnim jashtë, kishte vetëm gjak në të gjithë fakultetin", tha ai.
Turistja amerikane Hannah Mallicoat tha për BBC se ajo dhe familja e saj kishin qenë në sheshin Jan Palach gjatë sulmit.
"Pashë një plumb tek goditi tokën në anën tjetër të sheshit rreth 9 metra larg përpara se të hyja në një dyqan. E gjithë zona ishte e bllokuar dhe dhjetëra makina policie dhe ambulanca po shkonin drejt universitetit."
Joe Hyland, 18 vjeç dhe nga Britania e Madhe, i tha BBC-së se kishte dëgjuar katër të shtëna.
Policia thotë se i armatosuri ishte një student 24-vjeçar në universitet dhe nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, megjithëse shton se u gjet një "arsenal i madh armësh dhe municionesh".
Ai është quajtur nga mediat lokale si David Kozak.
Oficerët evakuuan një ndërtesë tjetër universiteti ku personi i armatosur pritej të ndiqte një leksion, por pak kohë më vonë u thirrën në ndërtesën kryesore të fakultetit aty pranë.
Personi i armatosur, për të cilin policia tha se ishte "eliminuar", mendohet të ketë vrarë babanë e tij në një tjetër vend.
Ata thanë se personi i armatosur dyshohej gjithashtu për vrasjen e një të riu dhe vajzës së tij dy muajshe, të cilët u gjetën të vdekur në një pyll në periferi të Pragës më 15 dhjetor.
Nga 25 personat e plagosur në të shtënat, 10 janë plagosur rëndë, tha policia, duke shtuar se asnjë oficer nuk ishte lënduar.