Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, kritikon Prokurorinë Speciale se po vonohet në ngritjen e aktakuzave për autorët e sulmit terrorist në Banjska më 24 shtator 2023. Sipas tij, një vonesë e tillë është e pajustifikueshme pasi ka prova dhe incizime për aktakuza ndaj përgjegjësit Milan Rardoiçiq dhe të tjerëve.
Qorrolli në një intervistë për KosovaPress thotë se po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë. Krahas kësaj, ai flet për mundësitë e miratimit të kodit civil dhe largimin e masave ndëshkuese nga BE-ja.
Sa i përket miratimit të kodit civil, Qorrolli thotë se ai do të procedohet në Kuvend në momentin kur të arrihet konsensusi.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, zëvendësministri Qorrolli i quan të padrejta dhe jo-proporcionale, teksa shprehet optimist se ato do të largohen në tërësi deri në vjeshtë pavarësisht paralajmërimeve të BE-së se ato do të largohen në mënyrë të pjesshme dhe graduale.