Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jorida Tabaku ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit.
Ajo në një intervistë për KosovaPress, thotë se ky akt terrorist i kryer nga serbët duhet të përdoret nga pala kosovare në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.
Parlamenti Evropian miratoi së fundi një rezolutë ku dënon ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, dhe kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Por, kjo sipas deputetes Tabaku nuk mjafton, pasi që ndaj Serbisë duhet vendosur edhe sanksionet për cenim të territorit të Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Tabaku ka folur edhe për grumbullimin e trupave serbe ushtarake në kufi me Kosovën, gjë që u dënua nga BE e SHBA, të cilat e cilësuan si veprim shumë destabilizues.
Ndryshe, krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian më 27 tetor e kanë dënuar ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht, dhe t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në konkluzionet e miratuara në fund të samitit.
Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për ulje të tensioneve, dhe të sigurojnë mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.
"Dështimi për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja”, është thënë mes tjerash në konkluzione.
BE-ja ka bërë thirrje që dy vendet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet paraprake, pa vonesa dhe pa parakushte, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet në dokumente.