Sulmet izraelite në Gaza: Vriten tre anëtarë të një familjeje dhe disa policë
Bota
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Sulmet izraelite në Gaza: Vriten tre anëtarë të një familjeje dhe disa policë
Israel Palestinians Gaza
15/07/2026 - 17:42
Linku u kopjua

Të paktën 12 persona janë vrarë në Rripin e Gazës gjatë dy ditëve të fundit si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, thanë të mërkurën zyrtarët lokalë të shëndetësisë në ketë pjesë të Palestinës, të cilët thanë se bombardimet vazhdojnë pothuajse çdo ditë, pavarësisht armëpushimit me Hamasin që ka muaj që është në fuqi.

Sipas zyrtarëve të Spitalit Al Aqsa, të mërkurën tre anëtarë të një familjeje u vranë në pjesën qendrore të Gazës, raporton AP, transmeton KosovaPress.

Një ditë më parë, një grua dhe gjashtë pjesëtarë të policisë humbën jetën nga një sulm ajror ndaj një stacioni policor në kampin e refugjatëve Jabaliya, në veri të Gazës, thanë zyrtarët spitalorë. Ndërkohë, një burrë u vra nga bombardimi i një kampi me tenda në Khan Younis, në jug të territorit, ndërsa sipas zyrtarëve spitalorë, forcat izraelite qëlluan për vdekje edhe një fëmijë në zonën Al-Muwasi, pranë qytetit Rafah.

Ushtria izraelite nuk komentoi menjëherë për sulmet në Gazën qendrore dhe jugore. Por, lidhur me sulmin në Jabaliya, deklaroi se katër nga policët e vrarë ishin militantë të Hamasit, pa paraqitur prova se ata kishin qenë të përfshirë në planifikimin ose kryerjen e sulmeve, shkruan AP.

Sipas Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga Hamasi, njëri nga të vrarët ishte koloneli Mohamad Marwan Salem, komandant i lartë i policisë dhe shef i stacionit policor në Jabaliya.

Hamasi, i cili për vite me radhë ka qeverisur Gazën, ka një krah të armatosur, por edhe polici dhe shërbime civile të sigurisë që mbikëqyren nga Ministria e Brendshme. Gjatë luftës, Izraeli ka shënjestruar vazhdimisht policinë lokale, përfshirë njësitë që ruanin kolonat me ndihma humanitare.

Ushtria izraelite ka deklaruar se i konsideron stacionet policore objektiva legjitime nëse ato "përdoren për të avancuar aktivitete ushtarake ose nëse personat e pranishëm janë operativë ushtarakë të përfshirë në aktivitete terroriste".

Megjithatë, ajo nuk sqaroi se cilat aktivitete ushtarake po zhvilloheshin në stacionin policor të Jabaliyas dhe nuk paraqiti prova për pretendimet e saj.

Hamasi këmbëngul se policia merret me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Sulmet izraelite ndaj forcave të rendit në Gaza janë dënuar edhe nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, e cila muajin e kaluar deklaroi se personeli policor ishte sulmuar të paktën 12 herë gjatë vitit 2026, përfshirë edhe operacionet e zakonshme të zbatimit të ligjit, si drejtimi i trafikut dhe patrullimi në rrugë e tregje.

"Modeli i këtyre sulmeve ngre shqetësime se forcat izraelite nuk bëjnë dallim mes personelit policor dhe luftëtarëve të grupeve të armatosura në Gaza", thuhet në deklaratën e OKB-së të 3 qershorit, raporton AP, transmeton KosovaPress.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026