Të paktën 17 persona, kryesisht nxënëse, janë vrarë pasi një dron i mbushur me eksploziv goditi një shkollë të mesme dhe një qendër shëndetësore në jug të Sudanit.
Sulmi ndodhi të mërkurën në fshatin Shukeiri në provincën e Nilit të Bardhë, raporton AP, transmeton KosovaPress. Sipas drejtorit të Spitalit Douiem, Musa al-Majeri, nga sulmi u plagosën edhe të paktën 10 persona. Ai tha se tre vajza pësuan lëndime të rënda; dy prej tyre iu nënshtruan operacioneve në spital, ndërsa një tjetër u dërgua në kryeqytetin Khartoum për trajtim.
Grupi mjekësor dhe drejtori i spitalit fajësuan për sulmin forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat nuk kanë reaguar ndaj akuzave. Sipas tyre, ky është një vazhdim i sulmeve të RSF-së ndaj objekteve civile në rajonin e Nilit të Bardhë, përfshirë edhe një konvikt studentësh dhe një stacion energjetik në ditët e fundit.