Subvencionohen për tekstet shkollore të reja por po blejnë të vjetra
Lexohet për: 3 min.
librat-shkollor-220824
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ndonëse Ministria e Arsimit po subvencionon prindërit me mjete për blerjen e librave të rinj shkollor, ata po kërkojnë alternativa për të gjetur libra të përdorur, në mënyrë që mjetet e kursyera t’i shfrytëzojnë për gjëra të tjera. Kjo ka bërë që edhe në rrjetet sociale të qarkullojnë shumë postime ku individë të ndryshëm ofrojnë tekste shkollore të përdorura me çmime të ulëta.

Shqetësimi është ngritur në rrjete sociale nga mësimdhënësit.Ndërkaq, KosovaPress ka kontaktuar disa nga shitësit online të librave shkollorë të përdorur. Njëri nga ta ofronte tri libra bazë bashkë me fletore pune, dy botime nga shtëpia botuese “Dukagjini” dhe një “Albas”, në vlerë prej 10 euro. Derisa çmimi i të njëjtave, porse të reja është mbi 20 euro.

Po ashtu, një shitës tjetër ofronte dy libra të Gjuhës Angleze për klasën e dytë në çmim prej 6 eurove, derisa të rejat kushtojnë 13 euro.

Drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët “Emin Duraku”, në Prishtinë, Visar Osmani e konsideroi si dukuri të keqe blerjen e librave të përdorura me çmime më të ulëta nga prindërit, në vend se t’i blejnë ato të reja.

Po ashtu, eksperti i arsimit dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se shpeshherë mjetet e ndara përmes subvencionimit nuk përdoren për qëllimin e tyre.

Sipas tij, kjo dukuri mund të ndodhë për shkak të gjendjes ekonomike të familjeve.

Pupovci potencoi se dedikimi i subvencionit janë blerja e teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore.

Duket se kjo dukuri ka filluar që prej vitit të kaluar shkollor. Një prind tregon se kishte blerë vetëm tre tekste shkollore fëmijës së tij me mjetet e ndara nga MASHT-i, ndërsa librat e tjera i kishin siguruar të përdorura.

Të shtunën e 24 gushtit ka filluar shitja e teksteve shkollore nëpër librari.

Përndryshe, për secilin nga nxënësit filloristë nga klasa 1 deri në klasën e 5, në total do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për nxënësit e arsimit në nivelin e mesëm të ulët nga klasa 6 deri në klasën e 9, do të ndahen nga 110 euro.

Para pak ditësh, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka treguar se kanë aplikuar gjithsej 194 mijë e 180 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Kurse, janë subvencionuar 171 mijë e 200 aplikues.

Viti shkollor 24/25 do të fillojë më 2 shtator.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

https://kosovapress.com/prinderit-ne-kerkim-te-teksteve-mashti-po-vonohet-me-pagesa

https://kosovapress.com/mashti-subvencionon-tekstet-shkollore-por-nuk-e-di-koston-e-pergjithshme-dhe-as-cmimet-e-librave

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024