Procesi i rimbursimit të mjeteve për tekstet shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duket që po shkon ngadalë, pasi prindërit kanë aplikuar por ende nuk i kanë marrë paratë si subvencion. Në këtë situatë ata po blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre, me shpresë se ministria do t’i ekzekutojë pagesat e parapara.
Procesi i shitjes së teksteve shkollore nisi më 23 gusht, edhe pse nëpër disa librari mungonin një numër më i madh i teksteve. Ndërkohë, sot duket që libraritë janë më të furnizuara, por sipas prindërve, çmimi i teksteve, krahasuar me vitin e kaluar, është më i lartë.Menaxheri i librarisë “Altera”, në Fushë Kosovë, Elez Morina, ka thënë për KosovaPress, se kjo librari është e furnizuar 98 për qind me tekste shkollore.
Kurse, disa prindër treguan se çmimi i teksteve shkollore, krahasuar me vitin e kaluar është më i lartë.
Njëri nga prindërit, Valon Gjikolli është shprehur se subvencioni nga Qeveria për një familje që ka tre fëmijë nuk dalin si mjete financiare.
Gent Lepaja ka thënë çmimi krahasuar me vitin e kaluar është pak më i partë, megjithatë, ai nuk ka ankesa për mënyrën e re të rimbursimit me mjetet shkollore.
Ministria e Arsimit ka njoftuar se deri më 20 gusht në platformën e-Kosova kanë aplikuar gjithsej 151.080 prindër.
Sipas njoftimit janë ekzekutuar 81.355 pagesat e para dhe po vazhdohet edhe me transfere tjera.
Viti shkollor 24/25 do të fillojë më 2 shtator.