Subvencionet për familjet me asistencë sociale, ekspertët thonë se janë jo efektive
Biznes
Lexohet për: 3 min.
Subvencionet për familjet me asistencë sociale, ekspertët thonë se janë jo efektive
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Skema e re sociale për familjet me asistencë sociale, e prezantuar nga Qeveria e Kosovës, po vlerësohet si jo efektive nga njohës të ekonomisë, për çka thonë se po bëhet në kuadër të fushatës politike. Ndërkaq, ekspertë të punës sociale vënë në dyshim nëse kjo reformë do të mund të funksionojë siç është planifikuar.

Në kuadër të kësaj skeme, personat nga mosha 18 deri në 64-vjeç të aftë për punë do të subvencionohen me 70 për qind të pagës së tyre në bizneset ku ata do të punësohen për gjashtë muaj dhe të njëjtit nuk do të largohen automatikisht nga skema sociale.

Profesori i ekonomisë, Musafë Kadrijaj në një prononcim për KosovaPress e quan të dështuar reformën në skemën sociale, pasi sipas tij ajo nuk mund të funksionojë në praktikë. Ai potencon se këto lloje të politikave sociale vetëm sa po e ulin mirëqenien e qytetarëve.

Kadrijaj thekson se Qeveria aktuale e ka bërë këtë reformë në kuadër të fushatës politike. Ai thotë se në vend të kësaj, duhet rritur paga minimale dhe të fuqizohen bizneset, në mënyrë që qytetarët të mos jenë të varur nga asistenca sociale.

Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku vënë në dyshim nëse kjo do të funksionojë, ngase sipas tij shumë prej përfituesve do të punojnë informalisht, vetëm që të mos eliminohen nga skema e ndihmë sociale.

Për KosovaPress, Mujku thotë se qytetarët e aftë për punë, të cilët refuzojnë dy herë e më shumë punë nga zyrat e punësimit, duhet eliminuar nga skema për marrjen e ndihmës sociale.

Përveç kësaj, Mujku potencon se familjet të cilat janë dobët financiarisht dhe nuk kanë mundësi të punojnë për shkak të gjendjes shëndetësore, duhet të mbështeten edhe më shumë.

Përveç tjerash, Mujku vlerëson se në këtë rast kategoria e qytetarëve që marrin vetëm pagë minimale, mbeten të diskriminuar.  Për këtë ai bënë krahasimin, se kategoria e dytë edhe subvencionohet nga Qeveria në pagë për gjashtë muaj me radhe dhe se në të njëjtën periudhë vazhdon të përfitojnë nga asistenca sociale. 

Të premten, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se kjo masë synon barazinë dhe nxitjen e punësimit. Ndërkaq, ministri i Financave Hekuran Murati potencoi se përmes kësaj skeme synohet inkurajimi i punësimit të anëtarëve të familjeve përfituese të asistencës sociale.

Aty u tha se persona nga 18 deri 64 vjet duhet të regjistrohen si punëkërkues dhe se secilit biznes që angazhon të punësuarit nga kjo skemë për 6 muajt e parë do të subvencionohet 70 për qind e pagës 350 deri në 500 euro pagë bruto, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë do të subvencionohet me 20 për qind.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024