Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza” në Maqedoni të Veriut, Besar Sejdiu, ka bërë thirrje publike për mbështetje të gjerë qytetare ndaj protestës paqësore të studentëve, e cila do të mbahet nesër (e hënë) në Shkup.
Sipas njoftimit, protesta do të nisë në orën 12:30 nga Ura e Gurit, ndërsa studentët kërkojnë realizimin e një të drejte që, siç theksohet, është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj – mundësinë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, transmeton KosovaPress.
Ai ka vlerësuar se kjo çështje tejkalon interesat individuale dhe politike, duke e cilësuar si një kauzë të rëndësishme për barazi dhe të drejta themelore. Në këtë drejtim, ai u ka bërë thirrje qytetarëve, institucioneve dhe të gjithë akterëve shoqërorë që të mbështesin protestën dhe të marrin pjesë në të.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të jetë paqësore dhe dinjitoze, me synim sensibilizimin e opinionit dhe adresimin e kërkesave të studentëve pranë institucioneve përkatëse.