Lëvizja Studentore "Studim Kritikë Veprim" me pankarta “Kampusi universitar është i studentëve, jo i oligarkëve, “Stop uzurpimit të Kampusit” ka zhvilluar një aksion simbolik sot në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Studentët kundërshtuan parkingun nëntokësor duke hedhur letra tualeti para lokaleve të ndërtuara në hapësirat publike.
“Hapësira publike, oborri universitar s’është hera e pare që uzurpohet. Fillimisht nga objektet pa leje të Millosheviqit, e tash fatkeqësisht 22 vjet pas luftës ky uzurpim po vazhdon nga Komuna e Prishtinës, qëkur filloi punimet e parkingut premtonte se edhe pemët do t’i ruante. Sot asnjë nga ato pemë nuk gjendet këtu, te gjitha ato janë dëmtuar e zhdukur. Dhe është improvizuar gjelbërim në oborrin që tashmë i ngjan kanaleve ushtarake”, tha Kabashi.
Kabashi në emër të kësaj organizate tha se qëllimi i atyre që morën vendim për këtë parking ka qenë fitimi dhe jo dija, dhe se sipas tij ky ndërtim nuk i shërben studentëve.
Parkingu nëntokësor te Fakulteti Filologjik në Prishtinë pritet të funksionalizohet këtë muaj dhe çmimi për parking gjithëditor do të jetë 15 euro, ndërsa për një orë do të kushtojë një euro.