Storie suksesi, mbi 2000 të punësuar në Prishtina Mall
Lexohet për: 5 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Qendra më e madhe tregtare në vend e rajon, Prishtina Mall është bërë një prej vendeve me numrin më të madh të të punësuarve në Kosovë dhe rritje të aktivitetit ekonomik. Në këtë qendër tregtare numri i të punësuarve ka arrit mbi 2000.

Krahas sukseseve të arritura në këtë qendër më moderne në Evropën Juglindor, Prishtina Mall ka edhe fluks të madh të vizitorëve prej 50-60 mijë personave gjatë ditës për blerje dhe argëtim.

Qendra më e re tregtare me sipërfaqe 240 mijë metra katror ka mbi 200 brende prestigjoze ndërkombëtare, si dhe parking për pesë mijë vetura.

Drejtues të Bordit të aksionarëve në Prishtina Mall thonë se me këtë qendër tregtare, Kosova është futur në hartën botërore.

Kryetari i bordit të aksionarëve në Prishtina Mall, Fatmir Zymberi, ka treguar se kjo qendër ka një rritje të qarkullimit më shumë se që ishte planifikuar para dhjetë muajve kur ishte hapur. Ai thekson se prej që është hapur Prishtina Mall më 9 mars, Kosovës i është rritur numri i vizitorëve nga rajoni e më gjerë më shumë se 25 për qind.

Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se Prishtina Mall është bërë qendra me numrin më të madh të punëtorë në Kosovë.

“Diku janë mbi 200 biznese që zhvillojnë veprimtarinë e tyre dhe sot janë mbi dy mijë punëtorë që punojnë për çdo ditë në Prishtina Mall, pa i përfshirë shërbimet e jashtme që japin për këto biznese dhe për Prishtina Mall. Kështu që është vendi me më së shumti punëtorë në Kosovë, të cilët janë të koncentruar në një vend”, thotë Zymberi.

Biznesmeni Zymeri pret që në vitin 2024 numri i vizitorëve në Prishtina Mall të jetë mbi 15 milionë.

“Nuk është vit i plotë, kur është hapur Prishtina Mall ka qenë një fluks saqë na ka frikuar, pastaj ka qenë faza e stabilitetit dhe akomodimit, mirëpo shifrat për një vikend ose brenda një dite në Prishtina Mall frekuentojnë  50 - 60 mijë vetë vijnë në Prishtina Mall. Fat i madh që ne këtë e kemi planifikuar dhe imagjinuar edhe më herët së do të kemi fluks të madh. Kemi parking për 5 mijë vetura, i cili e bën të lehtë këtë fluks të njerëzve. Në vitin 2024 pritet të jenë mbi 15 milionë vizitorë në “Prishtina Mall”. Kështu që është një rritje më e madhe se që kemi pritur”, thekson Zymberi.

Ish-këngëtari Zymberi thotë se tashmë është arritur suksesi me “Prishtina Mall” dhe sipas tij, ka një rritje të qarkullimit shumë më të madh se sa që kishin planifikuar. Ai tregon po ashtu se me këtë projekt prej rreth 400 milionë eurosh, është rritur edhe numri i vizitorëve në Kosovë.

“Prishtina Mall besoj se nuk është mbetur kush pa e parë nga njerëzit brenda dhe jashtë Kosovës. Unë me bashkëpunëtorët e mi ndihem jashtëzakonisht të relaksuar pasi që veç është krijuar suksesi. I kemi nëntë muaj e gjysmë që ekzistojmë si Prishtina Mall dhe kanë qenë fazat e saj të stabilizimit edhe si objekt, por edhe si zhvillim i bizneseve, por në të njëjtën kohë edhe klientela me u ndier mirë. Vlerësoj se sipas eksperiencës time që jam në shumë qendra tjera rajonale me bizneset e mia, Prishtina Mall e ka një rritje shumë më të lartë se sa ne e kemi planifikuar. Kështu që kjo është një rritje ashtu siç ne kemi pasur në ëndërr. Prej që është hapur “Prishtina Mall”, Kosovës i është rritur numri i vizitorëve nga rajoni më shumë se 25 për qind”, thotë Zymberi.

Afaristi Zymberi thotë po ashtu se Prishtina Mall është një prej qendrave më të përshtatshme dhe me këtë qendër sipas tij, Kosova futet në hartën botërore.

“Sikur (Prishtina Mall) janë dhjetë qendra tregtare në krejt Evropën, në këtë madhësi, por nga funksionimi i saj, nga dizajni dhe funksionaliteti, edhe bizneset që zhvillojnë veprimtarinë këtu dhe kientela, Prishtina Mall është një prej qendrave më të përshtatshme në botë. Kështu që Kosova në një farë forme po krijon vlera dhe po futët në hartën botërore”, thotë ai.

Zymberi ka shtuar se 85 për qind e hapësirës së Prishtina Mall është e mbushur me dyqane, ndërsa sipas tij, gjatë vitit 2024 pritet hapen edhe hapësira e mbetura me brende të njohura botërore.

Zymberi që drejton bizneset më të njohura Jysk dhe KFC për Kosovë tregon për suksesin dhe për zgjerimin e rrjetit në vend dhe rajon.

“KFC dhe Jysk  është rritur edhe në vitin që lamë pas. Jysk ka hapur dy dyqane të reja, ndërsa KFC ka hapur tri dyqane. Kështu që janë pesë dyqane të reja edhe në Kosovë dhe rajon. Për çdo vit ka një zhvillim më të mirë se në vitin paraprak. Kemi një rritje fantastike të cilat janë zhvilluar shumë më mirë në Kosovë se sa në vendin e tyre të origjinës në Norvegji. Kjo neve na motivon… Mos të kishte pasur sukses KFC dhe Jysk, dhe bashkëpunëtorët që i kanë bizneset e veta, nuk kishte me ndodhur Prishtina Mall”, thotë ai.

Zymberi ka theksuar se Prishtina Mall si qendër tregtare që nisi së ndërtuari më 9 mars të vitit 2020, e cila hapi dyert e saj më 9 mars 2023, është bërë destinacioni kryesor për vendasit dhe vizitorët, duke tërhequr turma të mëdha nga i gjithë rajoni.

Përveç kësaj investimet në Prishtina Mall, që kapin shifrat financiare deri në 400 milionë euro, prej tyre rreth 80 milionë euro ka përfituar buxheti i shtetit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024