NATO ka porositur raketa kundërajrore të llojit Stinger në vlerë prej pothuajse 700 milionë dollarësh në emër të disa shteteve anëtare, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
“Sot, NSPA-ja [Agjencia për prokurim e NATO-s] ka nënshkruar një kontratë të re shumëkombëshe për raketat Stinger, në vlerë prej pothuajse 700 milionë dollarësh”, tha ai gjatë takimit të udhëheqësve të industrisë së mbrojtjes në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington.Këto lloje raketash, që vendosen në krah, kërkohen shumë në Ukrainë, pasi armë të tilla kanë qenë të suksesshme në ndalimin e sulmeve ajrore të Rusisë, shtet që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022.
Udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington.
Agjenda e samitit treditor pjesërisht është lënë nën hije nga shqetësimet lidhur me moshën dhe aftësinë e presidentit amerikan, Joe Biden, që të udhëheqë me shtetin, pasi shanset e tij për fitore në zgjedhjet presidenciale të nëntorit u dëmtuan nga paraqitja e tij në debatin e parë presidencial kundër Donald Trumpit muajin e kaluar.
Ukraina do të jetë lartë në agjendën e samitit, por Kievi nuk pritet që të marrë ftesë zyrtare për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po merr pjesë në këtë samit dhe sapo arriti në Uashington, ai tha se do t’i kërkojë NATO-s zotime shtesë, përfshirë avionë shtesë, por edhe garanci të sigurisë.
Michael Carpenter, drejtor i lartë për NATO në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, u tha gazetarëve më 8 korrik se aleatët do të njoftojnë për masa të reja që do të rrisin sigurinë e Ukrainës, përfshirë edhe avionët luftarakë F-16, por nuk dha më shumë detaje.
Një zyrtar i NATO-s, që foli me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se pavarësisht se i janë shterur burimet, Rusia me gjasë do të mund të vazhdojë luftën për tre-katër vjet.
Ndërkaq, përveç anëtarëve të NATO-s, katër partnerët e aleancës në Indo-Paqësor - Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut - janë tashmë pjesëmarrës të rregullt në samitet e aleatëve.
Në Uashington do të jenë edhe përfaqësuesit e të gjithë partnerëve të NATO-s, përfshirë Bashkimin Evropian.
Presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë./REL