Është koha që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s sepse ka bërë gjithçka që është e nevojshme që Turqia të miratojë anëtarësimin e saj, tha sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg.
"Ka ardhur koha që procesi i ratifikimit për Suedinë të përfundojë. Jam i bindur se Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s. Nuk dua të jap një datë të saktë se kur do të ndodhë kjo. Procesi i hyrjes së Suedisë ka kaq ka qenë shumë e pazakontë dhe e shpejtë, zakonisht duhen disa vite”, tha Stoltenberg për gazetën suedeze Aftonbladet.
Parlamentet e 28 nga 30 anëtarët e NATO-s kanë ratifikuar protokollin për pranimin e Suedisë dhe Finlandës, dhe vetëm Turqia dhe Hungaria nuk e kanë bërë ende këtë. Turqia po u bën presion dy vendeve nordike për të goditur grupet që Ankaraja i konsideron organizata terroriste dhe për të ekstraduar persona të dyshuar për krime të lidhura me terrorizmin.
Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavushoglu tha se Suedia nuk ishte "as gjysma e rrugës" në përmbushjen e angazhimeve që mori për të siguruar mbështetjen e Ankarasë për t'u bashkuar me NATO-n. Para kësaj, një gjykatë suedeze nuk miratoi ekstradimin e një gazetari të kërkuar nga Turqia për lidhje të dyshuara me grusht-shtetin e dështuar në 2016.