Stano: Presim që të dyja palët të kontribuojnë në zbatimin e angazhimeve
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar sot se të martën do të ketë takim mes dy kryenegociatorëve të dialogut në Bruksel.
Stano ka theksuar se presin që të dyja palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që janë marrë veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.
“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë. Po. Nesër do të kemi takimin e kryenegociatorëve nga të dyja palët në Bruksel. Dhe, siç e thamë gjatë gjithë kohës, presim që të dyja palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që janë marrë veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër. Vetë palët janë zotuar të përmbahen nga çdo veprim që do të kishte efekt të kundërt, që do të thotë se do të ishte kundër kësaj atmosfere, atmosferës së nevojshme të angazhimit dhe pajtimit konstruktiv. Pra, shpresojmë që ajo që kemi qenë dëshmitarë gjatë ditëve të fundit, sidomos në Kosovë dhe në veri nuk do të ketë ndikim në takimin e nesërm. Takimi i kryenegociatorëve nesër është i rëndësishëm sepse ata do të diskutojnë. Ata do të takohen në fakt për herë të parë zyrtarisht pas marrëveshjes së Ohrit dhe do të punohet dhe diskutohen hapat e nevojshëm për zbatimin e zotimeve që dalin nga marrëveshja dhe aneksi i saj”, është shprehur Stano.
I pyetur rreth zbatimit të marrëveshjes ai ka thënë se tashmë e kanë trajtuar këtë çështje disa herë. Ka një angazhim të qartë, pranim të qartë nga të dyja palët se ata pranojnë marrëveshjen dhe aneksin, dhe ata marrin një angazhim politik për të filluar zbatimin e saj, ka theksuar Stano.
Zëdhënësi Stano është pyetur për rastet e djegjes së e veturave në veri. Ai nuk i ka komentuar si raste por ka vlerësuar se e vetmja gjë që duhet të bëhet tani është se Kosova dhe Serbia, duhet të përqendrohen në zbatimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, të pajtimit, dhe të mos bëhet asgjë në kundërshtim me këtë.