Gjykata Speciale ka dalë me njoftim të ri mbi arrestimin e ish-eprorit të UÇK-së Haxhi Shala.
Ajo në një komunikatë të dytë ka njoftuar se paraqitja e parë e Haxhi Shalës do të bëhet nesër, ditë e mërkurë, në orën 14:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.Haxhi Shala u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë sot, më 12 dhjetor.
Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi aktakuzën kundër Haxhi Shalës më 4 dhjetor 2023. Versioni i redaktuar publik i aktakuzës së konfirmuar gjendet në faqen e internetit të DHSK-së. Ditën e arrestimit, i akuzuari mori një kopje të aktakuzës në gjuhën e tij amtare.
Në të thuhet gjithashtu se me udhëzim të Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.
Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ndryshe, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë arrestuar në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe janë transferuar në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.