Faqja zyrtare e KF Prishtina e Re ka shpërthyer në akuza të rënda përmes një komunikate zyrtare në Facebook, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së sotme kundër Dukagjinit, ku pësuan humbje me rezultat 2-3.
Edhe pse klubi kryeqytetas ka rënë matematikisht nga Albi Mall Superliga javë më parë, kryesia dhe stafi administrativ kanë shprehur ndjenjat e thella për mënyrën se si u ndanë drejtësia në fushë, duke goditur drejtpërdrejt arbitrin kryesor të takimit.
"Fatkeqësisht, maskarada u përsërit edhe një herë. Regjisori është i njohur për të gjithë, ndërsa aktori kryesor ishte sërish Mervan Bejtullahu. Në emër të kryesisë, stafit dhe futbollistëve, u kërkojmë falje familjarëve dhe tifozëve që u detyruan të ndjekin këtë skeç humoristik, larg frymës së sportit dhe konkurrencës së ndershme."
Klubi e mbylli reagimin duke theksuar se djersa e sportistit po tjetërsohet nga ata që duhet të ishin simbol i drejtësisë, duke shtuar se ajo që u pa sot në fushë nuk kishte asnjë lidhje me futbollin apo me atë që meritojnë tifozët dhe lojtarët në Kosovë.