Kosova po vazhdon të ketë pengesa me pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare nga vendet të cilat nuk e njohin atë si shtet.
Pengesa e fundit ka ardhur nga Spanja, ku ambasada spanjolle në Shkup ka refuzuar vizat e boksierëve kosovarë, të cilët do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të boksit në Alicane, La Nucia të Spanjës.
Federata e Boksit të Kosovës (FboxK) ka bërë të ditur se ka kërkuar sqarime nga Federata Botërore e boksit (IBA) për mos-pajisje me viza, ndërsa beson se politika nuk duhet t’i ndalojë sportistët tanë të marrin pjesë në këtë Botëror.
“Kjo nuk është hera e parë që ne si pjesë e Federates Botërore IBA nuk lejohemi të marrim pjesë në ngjarje botërore si më parë që ka ndodhur në Indi, Serbi, e tash në Spanjë dhe ndjehemi të diskriminuar”, shkruante në komunikatën e FboxK.
Në komunikatën e saj, Federata e Boksit të Kosovës ka publikuar edhe email-at me Ambasadën e Spanjës në Shkup, ku kjo e fundit e ka konfirmuar se si pasojë e situatës politike nuk mund të lëshojnë vizat pa u konsultuar me Ambasadën e Spanjës në Madrid.