Sot Testi i Maturës, lënda e Matematikës më sfiduesja për nxënësit
Lexohet për: 3 min.
matura-220624
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Mbi 19 mijë nxënës të shkollave të mesme në Kosovë i janë nënshtruar sot Testit të Maturës Shtetërore.

Testi 100 pikësh po konsiderohet si i thjeshtë dhe me pyetje të logjikshme nga vetë nxënësit, derisa lënda e Matematikës mbetet më sfiduese për ta.

Gjatë një vizite nga KosovaPress në shkollat fillore të mesme të ulëta “Emin Duraku” dhe atë “Elena Gjika”, pas mbajtjes së këtij procesi, disa nxënës treguan se janë parapërgatitur për testin e maturës, sipas tyre për t’i zënë pikët maksimale, e disa të tjerë u shprehën se nuk kishin nevojë ta bënin këtë.

Përveç matematikës, për dikë pyetjet nga gjuha shqipe, u vlerësuan të ishin si më të vështirat. Kjo pasi disa nxënës kishin vijuar mësimet në shkolla private, ku në shumicën e lëndëve kishin mësuar në gjuhën angleze.

Nxënësja Rita Lahaj për KosovaPress tha se ka hasur në vështirësi  gjatë plotësimit të pyetjeve në gjuhën shqipe, derisa shtoi se kishte raste që nuk i kuptonte fjalët, duke specifikuar ato të dialektit.

Ajo potencoi se pyetjet nga matematika ishin më të lehta për të.

Por, e kundërta qëndron për nxënësen Linda Maloku. Ajo tha se gjatë testit u sfidua nga enigmat e matematikës.

Sipas saj, pyetjet e parashtruara në test kanë qenë logjike dhe jo të vështira.

Maloku tha se do të vazhdojë me fashion dizajn nëse veç merr pikët e dëshiruara në këtë test.

“Është dashur ta lodhësh trurin më shumë” u shpreh nxënësja, Alina Gorani derisa ka folur për pyetjet nga matematika.

Ajo tha se pret pikët maksimale dhe se do të vazhdojë të studiojë informatikën.

Këta nxënës treguan se ishin njoftuar paraprakisht për rregullat të cilave duheshin përmbajtur, për çka potencuan gjithçka kishte shkuar në suaza normale.

Ndër disa shkolla të Prishtinës ku u organizua Testi i Maturës Shtetërore, është edhe ajo fillore e mesme e ulët “Emin Duraku”.

Drejtori i kësaj shkolle, Visar Osmani për KosovaPress tha se testit i janë nënshtuar 151 nxënës.

Ai tha se procesi ka shkuar mirë dhe se ka filluar me kohë.

Osmani potencoi se nuk është raportuar nga administruesit e vëzhguesit për tentim kopjim apo parregullsi në këtë shkollë.

Ndërkaq, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e tjera, edhe kësaj here në media është raportuar se testi është shpërndarë nëpër grupe të ndryshme  të rrjeteve sociale.

Lidhur me këtë, KosovaPress i ka drejtuar pyetje zyrtarëve nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, porse nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndërsa, 500 nxënësve iu është refuzuar  e drejta për t’iu nënshtruar testit, për shkak të mos aplikimit të saktë, ose problemeve që kishin me e-Kosova.

Lajmi i plotë ne sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024