Sot në gjithë Kosovën nis viti i ri shkollor 2024/2025. Derisa Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se në koordinim me komunat, janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, nuk ka njoftuar për numrin e nxënësve që do të vijojnë mësimin në institucione publike e private, e as për numrin e fëmijëve që nisin mësimin në klasën e parë.
Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, në orën 10:00, do të vizitojë shkollën “Iliria”. Kurse, në orën 11:00, shkollën “Elena Gjika”, në Prishtinë.
Deri tani dihet se kanë aplikuar gjithsej 203.407 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 201,120 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar, po ashtu platforma për aplikim po qëndron e hapur.
Ndërkohë, gjatë dy ditëve të vikendit është parë një interesim i madh i prindërve për t’i blerë tekstet shkollore. Ndërsa, kishte prindër që blenë tekste të vjetra shkollore, për t’i kursyer disa para nga subvencionimi.
Ky UA përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor 2024/2025 në të gjitha institucionet publike dhe private, respektivisht të vitit mësimor sipas niveleve, pushimin vjeshtor, pushimin dimëror, pushimin pranveror, festat publike për nxënësit e shkollave fillore, klasave parafillore, shkollave të mesme të ulëta, shkollave të mesme të larta, institucionet parashkollore dhe qendrat burimore për mësim dhe këshillim.
Kurse, me vendim të Komunës së Prishtinës, mësimi gjithë-ditor do të zhvillohet për herë të parë për nxënësit e klasave nga e para deri në të pestën, e për të cilët është siguruar edhe shujta e ngrohët. Megjithatë, procesi mësimor nëpër fshatrat e kësaj komune vazhdon sikur vitet e mëhershme.