Agjencia e Lajmeve KosovaPress do të jetë nikoqire e konferencës ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit të saj, të enjten nga ora 10:00, në Prishtinë.
Konferenca do të bashkojë në kryeqytetin tonë më shumë se 20 agjenci botërore të lajmeve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani. Anëtarët e rrjetit më të madh evropian të agjencive të lajmeve EANA (www.newsalliance.org) si dhe atij të Evropës juglindore ABNA SE (www.abnase.com), rrjete këto ku KosovaPress-i është anëtar, do të jenë të pranishme në këtë aktivitet.
Konferenca do të ketë dy panele, ku gazetarët do të kenë mundësi të bëjnë pyetje gjatë dy paneleve dhe gjatë konferencës.
Paneli i parë do të fokusohet në sfidat bashkëkohore me të cilat përballen agjencitë e lajmeve dhe mediat në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.
Ky panel do të shqyrtojë çështje kritike si dezinformimi, përparimet teknologjike, rreziqet e sigurisë për gazetarët dhe qëndrueshmërinë financiare të agjencive të lajmeve në peizazhin e botës bashkëkohore mediatike.
Ndërkaq në pjesën e dytë të konferencës, fjalë rasti do te ketë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe drejtoresha e Përgjithshme e Kosovapress-it, Suzana Rakovica.
Konferenca mbahet në hotel “Emerald”, Prishtinë.