Në vitin 1996, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me Rezolutën 51/95 ftoi shtetet anëtare të OKB-së që më 16 nëntor të shënojnë Ditën ndërkombëtare për tolerancë.
Përveç organizimeve të ndryshme të OKB-së, për të shënuar këtë ditë, UNESCO krijoi një çmim për promovimin e tolerancës dhe kundër dhunës, me të cilin shpërblen aktivistë të fushave të ndryshme, shkencore, artistike, kulturore ose të komunikimit, që synojnë nxitjen e një fryme tolerance dhe kundër dhunës.
OKB bën thirrje në respektim të dallimeve dhe i nxit qytetarët të japin parashtresa për diskriminimin me qëllim të zvogëlimit të tij dhe ngritjes së vetëdijes për respektimin e të drejtave të njeriut, tolerancës dhe dinjitetit të njeriut, të cilat garantojnë jetë të sigurt pa dhunë, urrejtje, mosrespektim dhe nënçmim.