Lindja e një foshnje jo çdoherë po shoqërohet me ngrohtësi dhe dashuri, pasi ende ka prindër të cilët po ua kthejnë shpinën fëmijëve të tyre të vegjël. E fëmijëve të braktisur vazhdon t’i dal në ndihmë SOS Fshati i Fëmijëve të Kosovës, ku aktualisht jetojnë 37 fëmijë, të cilëve po u kushtohet kujdes e vëmendje e madhe.
Megjithatë, sfidat për ata fëmijë nisin kur mbushin 18 vjeç, pasi kjo mbështetje fillon të zbehet, derisa ata të rinj nisin të pavarësohen si nga kujdesi, ashtu edhe nga ana ekonomike.
Udhëheqësi i kujdesit alternativ në SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës, Besnik Peci thotë për KosovaPress, se në këtë fshat janë 37 fëmijë të vendosur në shtatë sos familje, në kuadër të këtij fshati, të cilëve iu ofrohen shërbime me qëllim që të mos e ndjejnë mungesën e familjes.
Këta fëmijë në Sos Fshat, aktualisht janë nën përkujdesjen e sos nënave dhe ekipit mbështetës.
Peci tregon se për fëmijët e moshës katër deri në 18 vjeç, kujdesen 14 punonjës.
E vështirësi për fëmijët që jetojnë në sos fshatra, është kur ata mbushin 18 vjet.