Bllokada e rektoratit dhe mbi 50 fakulteteve e akademive të artit në Serbi
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
Bllokada e rektoratit dhe mbi 50 fakulteteve e akademive të artit në Serbi
14 orë më parë
Linku u kopjua

Shoqata e artistëve të dramës së Serbisë ka ftuar sot të gjithë anëtarët të bëjnë homazhe për viktimat e shembjes së strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit dhe të mbështesin protestat e studentëve.

Thirrja pasoi një protestë masive mbrëmë, kur një numër i madh studentësh bllokuan rrugën dhe trafikun para Radio-Televizionit të Serbisë dhe kërkuan informacion objektiv nga shërbimi publik për arsyet e bllokadës aktuale të fakultetit.

Në të katër qendrat universitare në Serbi ka bllokada të vazhdueshme të rektoratit dhe më shumë se 50 fakulteteve dhe akademive të artit.

Studentët kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rinovimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku 15 persona humbën jetën dhe dy u plagosën rëndë, pas shembjes së strehës më 1 nëntor.

Studentët gjithashtu kërkojnë që provokatorët dhe banditë që sulmuan studentët dhe pjesëmarrësit e protestave të mëparshme gjatë nderimit paqësor të viktimave në Novi Sad të ndiqen penalisht dhe të lirohen aktivistët dhe protestuesit e arrestuar në ato tubime përkujtimore.

Presidenti Aleksandar Vuçiq të hënën u përpoq të bindë studentët se “disa nga kërkesat janë përmbushur dhe se së shpejti do t'i përmbushë të tjerat”, veçanërisht “rritjen 20 për qind të investimit buxhetor të shtetit në fakultete”, por studentët nuk e panë të arsyeshme për t'i dhënë fund protestave dhe bllokadave.

Nëse kërkesat e studentëve nuk plotësohen deri më 21 dhjetor, aktorët njoftuan se do të ftojnë kolegët e tyre “të ndërmarrin hapa të mëtejshëm”.

“Besojmë se mbështetja jonë publike dhe e pa rezervë për studentët duhet të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre - pra deri në përfundimin e bllokadave”, thanë nga shoqata.

Ndryshe, në Novi Sad, Beograd dhe qytete të tjera edhe sot u organizua aksioni “Stop Serbia”, në orën 11:52, duke nderuar me 15 minuta heshtjeje viktimat e shembjes së strehës në stacionin hekurudhor më 1 nëntor.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024