Komisioni për Buxhet ka miratuar fushëveprimin e tij me nëntë vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Megjithatë, anëtarët e komisionit nuk e mbështetën edhe propozimin e LDK-së për shtimin e një pike të re, e cila do t’i obligonte ministrat të raportojnë drejtpërdrejt para këtij trupi parlamentar.
Gjatë mbledhjes, kryetari i Komisionit, Enver Haliti, paraqiti në detaje fushëveprimtarinë, duke theksuar se bëhet fjalë për një komision funksional dhe të përhershëm, i cili trajton të gjitha çështjet që ndërlidhen me buxhetin dhe financat publike.
“Mungojnë shqyrtimi i raporteve vjetore financiare të ministrive që secila prej tyre ka obligim ligjor që të raportoj këto raporte në Ministrinë e Financave. Paraqit këtu obligimin që vet qeveria të raportoj këtë raport vjetor financiar në këtë komision, por jo edhe ministritë. Prandaj, propozoj që të shtojmë dhe piken shqyrtimi i raporteve vjetore të ministrive”, ka thënë Mustafa.
Në anën tjetër, deputetja Shqipe Metaj nga VV vlerësoi se formulimi aktual mund të përfshijë raportimet e institucioneve përkatëse dhe se detajet mund të sqarohen përmes planit të punës së Komisionit.Për këtë ka replikuar Mustafa, duke insistuar që nuk përfshihet pika e lartpërmendur.
“Do pajtohesha 100 për qind me kolegen nëse pika 7 do të thoshte shqyrtimi i raporteve vjetore i të gjitha institucioneve, por nuk thotë ashtu. E veçon vetëm të institucioneve, organeve të pavarura. Pra, ka përjashtuar të tjerat dhe përfshin vetëm institucionet ose organet e pavarura”, ka shtuar Mustafa.
Propozimi i Mustafës nuk mori votat e mjaftueshme, ndërsa fushëveprimtaria e Komisionit u miratua në formën ekzistuese.
Komisioni është duke vazhduar edhe me pika tjera në të cilën përfshihet edhe shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin pranveror.