Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK-së nuk kanë marrë pjesë në vazhdimin e seancës plenare. Derisa deputetët e PDK-së dhe AAK-së nuk janë kthyer fare në seancë pas pauzës dy orëshe, deputetët e LDK-së lëshuan sallën e seancave plenare kur u konstatua se vetëm 53 deputetë janë nga mazhoranca.
I vetmi nga PDK-ja që u paraqit ishte deputeti Abelard Tahiri i cili njoftoi se s’do të marrin pjesë në punimet e kësaj seance për shkak të mosvotimit nga mazhorancës për rezolutën për mbështetjen e Policisë së Kosovës.
Ai kërkoi një kompromis politik pasi tha se Kuvendi ka hyrë në një rrugë pa zgjidhje, ku qeveria s’ka numra në Kuvend, por as opozita s’i ka votat e nevojshme për ta rrëzuar ekzekutivit.
Madje ai i propozoi qeverisë të zgjeroi koalicionin qeverisës ose të shpërndahet Kuvendi.
“Ju liroj prej Kuvendit të Kosovës, kur të bëheni 61, tregoni”, tha ai.
Në rend të ditës për shqyrtim sot ishin disa projektligje, dy marrëveshje ndërkombëtare dhe zgjedhja e disa anëtarëve në institucione që mbikëqyren nga legjislativi.