Në seancën plenare nuk ka pasur kuorum për votimin e amendamenteve për Projektligjin për Prokurorin e Shtetit. Në votim kanë marrë pjesë vetëm 50 deputetë dhe seanca është përcjellë me mungesë kuorumi edhe për projektligje të tjera.
Deputeti Driton Selmanaj, nga Komisioni për Legjislacion, ka thënë se janë nxjerrë 34 amendamente për Projektligjin për Prokurorin e Shtetit.
Vota të mjaftueshme nuk ka pasur as për votimin e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”.
Vetëm 49 deputetë kanë marrë pjesë edhe në votimin e rekomandimeve lidhur me raportimin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”.