NATO dhe Bashkimi Evropian po punojnë ngushtë për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore, ka thënë shefi i aleancës veriatlantike, Jens Stoltenberg, duke folur për situatën në veri të Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për depërshkallëzim të situatës dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimit Evropian.
Stoltenberg është deklaruar gjatë një takimi me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, të mbajtur në selinë e aleancës.
"Mendoj se situata në Kosovë dhe gjithashtu prania e NATO-s, tregon se si NATO dhe Bashkimi Evropian punojnë ngushtë së bashku në gjetjen e një rruge përpara për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore, sepse NATO ka prezencën apo paqeruajtësit në Kosovë në forcat e KFOR-it, ne kemi shpallur mandatin e OKB-së dhe natyrisht i qëndrojmë besnik mandatit të OKB-së. Ne kemi rritur gjithashtu praninë tonë të trupave të KFOR-it në Kosovë si reflektim i tensioneve të rritura që kemi parë gjatë javëve të fundit, dhe ajo që NATO bën në Kosovë është e paanshme", ka thënë ai.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.
Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.