Sindikata e Policisë së Kosovës e ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, në dy vjetorin e rënies heroike të tij.
“Ai ra në krye të detyrës, duke mbrojtur ligjin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve tanë. Sakrifica e tij mbetet përjetësisht dëshmi e trimërisë dhe përkushtimit të policëve tanë ndaj vendit dhe popullit”, tha Sindikata përmes një reagimi në Facebook derisa shprehu ngushëllime familjes, kolegëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
Më 24 shtator të vitit 2023, një grup serbësh të armatosur, në krye me terroristin Millan Radoiçiq, sulmuan Policinë e Kosovës. Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe u plagosën të tjerë.
Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, ndërkohë që pjesëtarë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes rrugëve malore.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Radoiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpëlarje të parasë.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.