Siguria në Ballkanin Perëndimor-Rama takohet me shefin e NATO-s, Mark Rutte
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar me kreun e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Mark Rutte. Rama shkruan se ky është takimi i parë me holandezin si Sekretar i Përgjithshëm të NATO-s.
“Me mikun e veçantë dhe tanimë mbështetësin e paepur të Shqipërisë, Mark Rutte, në takimin e parë me të si Sekretar i Përgjithshëm të NATO-s, pas 14 vjetësh në krye të qeverisë holandeze”, shkruan Rama në Facebook.
Ndërkaq, një ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Mark Rutte deklaroi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbetet i brishtë teksa foli për sulmin 29 nëntorit në kanalin e Ibër Lepencit.
Ai vuri në dukje brishtësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu mbështetje për përpjekjet për ruajtjen e sigurisë në rajon.
Gjithashtu, Rutte falënderoi komandantin e KFOR-it për reagimin e shpejtë në vendosjen e trupave, duke mbrojtur infrastrukturën kritike nga dëmet e mëtejshme. Ai theksoi se NATO mbetet e përkushtuar për të siguruar zbatimin e mandatit të OKB-së nga KFOR-i
"Ne mbetemi të përkushtuar për të siguruar që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij të OKB-së. Tani është thelbësore që të vërtetohen faktet dhe që përgjegjësit të mbahen para përgjegjësisë", tha Rutte, duke bërë thirrje për një hetim të plotë mbi ngjarjen.
https://kosovapress.com/shefi-i-nato-s-per-sulmin-ne-iber-lepenc-pergjegjesit-te-sillen-para-drejtesise