Pranë varrit të djalit të saj, qëndron e ulur e me lot në sy. Jo vetëm në këtë përvjetor, por Alltane Duraku tërë këto njëzet e shtatë vjet i ka kaluar me plot dhimbje dhe mall që nuk shuhet kurrë.
Djali i saj, Jetoni nga Krusha e Madhe u vra nga kriminelët serbë.
Njëzet e shtatë vjet pas luftës, në Krushë të Madhe sot mbizotëroi loti dhe dhimbja për gjithë ato jetë të shuara.
Kujtimet për djalin e përcjellin kudo. Asnjëherë nuk do ta fal agresorin që shkaktoi tërë këto dhimbje mbi popullatën e pafajshme.Pothuajse të gjithë me lot në sy, e me lule për të nderuar martirët të rënë për liri.
Në mesin e tyre është edhe djali i vëllait të tetëdhjetë e dy vjeçarit, Shefki Hoti, i cili ka edhe rreth 20 familjarë të vrarë.
Në Krushë të Vogël sot është rivarrosur Ajvaz Shehu i cili 27 vjet më parë ishte zhdukur. Eshtrat e tij janë gjetur në Shirokë para tetë vitesh, por ai nuk arriti aso kohe të rivarroset për shkak se nëna e tij kurrsesi nuk ishte pajtur me faktin se këto eshtra përkojnë me trupin e djalit të saj.