Një tryezë e madhe politike duhet të organizohet në Kosovë, në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Kjo, sipas anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, duhet të mbahet pas zgjedhjeve të 7 qershorit, nëse menjëherë pas konstituimit të Kuvendit nuk ka marrëveshje politike për këtë pozitë.
Në një intervistë për KosovaPress, ai deklaron se partitë duhet të ulen në një tryezë për t’i caktuar kriteret për një figurë konsensuale për president sepse kështu, sic thotë ai, vendi mund të nxirret nga “katrahura” në të cilën është futur.
“Nuk mundet më Kosova me shkuar në zgjedhje mbas zgjedhjeve. Duhet me u ditur saktësisht kush po e bllokon. Kosova duhet me i zgjedhur institucionet e Kosovës vetë. Duhet me e zgjedhur presidentin, qeverinë. Nuk ka pasur qëllim me e zgjedhur presidentin këtu në zgjedhje, o Erduan. Se me pasur qëllim nuk kishin shkuar në një tavolinë liderët e partive një nga një me fol. Po kishin thënë po e bëjmë një tryezë politike, po i qesim do kritere çfarë profili duhet me qenë dikush që është unifikues, e është përbashkues, e është konsensual, e kishim qitur ato prej kritereve. Për shembull, kishim thënë, kush është kryetar partie s’mundet me qenë kandidat për këtë. Kush është nën 45 vjet s’mundet me qenë... Varet prej profilit se si ndërtohet. Vallahi nuk do të përfshihemi me shkuar ndonjë me një, me më thirr një me një me fol pa as procesverbal, as pa kurrnjë koleg se ne jemi parti që i raportojmë diku. Në qoftë se ndërtohet një tryezë me kritere të sakta e të sinqerta, me e nxjerrë vendin prej kësaj katrahure, që pesë palë zgjedhje i shkojmë poshtë e përpjetë”, thotë ai.
Njëri nga kandidatët që i plotëson kushtet dhe që ka profilin më të qëndrueshëm për qenë presidenti i ardhshëm i Kosovës, sipas Tahirit, është kryetari aktual i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili do të jetë në këtë pozitë partiake vetëm deri në fund të majitTahiri tha se kandidatja e Vetëvendosjes për presidente të Kosovës, e propozuar në fund të prill, i ka bërë vetes dëm që ka pranuar të jetë e nominuar nga partia e Albin Kurtit.
Sipas tij, nëse LVV-ja do të insistonte në votimin e saj për kryetare, pa qenë dy të tretat e deputetëve në sallë, AAK-ja do të ndërmerrte hapa më radikalë për pengimin e atij procesi.
“Jo, ne jemi duke garuar edhe kemi garuar në zgjedhjet e kaluara për me e ndërruar këtë qeverisje. A ndërrohet a nuk ndërrohet, më 7 qershor del rezultati dhe e shohim kush është kush. Ne po shkojmë bukur stabil, nuk ka që e kemi pasur lehtë. Nuk ka qenë proces i lehtë për ne, hiç. As zgjedhjet e kaluara, as këto zgjedhje. Nuk janë këto të lehta, nuk është që po shkojmë për qejf. Bile bile, qysh e thashë, ne e kemi fajin më të vogël. Po shkojmë shumë stabil edhe shumë me vetëbesim, edhe shpresoj që qytetari i Kosovës e vlerëson punën tonë, edhe në këtë farë vlerësimi, shpresoj që do ta marrim edhe besimin”, përfundon ai. /KosovaPress/