Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët "Emin Duraku" në Shtime, Njësia e Zjarrfikësve në Ferizaj dhe Shkolla Fillore dhe Mesme e Ulët "Bafti Haxhiu" në Viti, janë ndër 80 objektet përfituese të aplikimit të masave të efiçiencës së energjisë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, mbështetur nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës.
Në komunën e Shtimes u përfundua projekti për efiçiencë energjetike në shkollën fillore "Emin Duraku", në vlerë mbi 198 mijë euro. Po ashtu, një projekt i tillë përfundoi edhe në shkollën fillore "Bafti Haxhiu" në komunën e Vitisë, në vlerë mbi 123 mijë euro. Përfituese nga ky projekt ishte edhe "Njësia e Zjarrfikësve në Ferizaj" në vlerë mbi 103 mijë euro.
Shefja e Sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Evropiane në Zyrën e BE në Kosovë, AnnaCarin Platon u shpreh sot e lumtur që Masat e Efiçiencës së Energjisë kanë pasur efektin pozitiv në ndërtesa.
Platon tha se do të vazhdojnë me këtë masë edhe për familjet që janë me në nevojë.
Zëvendës-udhëheqësja e zyrës së Bankës Botërore, Elene Imnadze gjatë vizitës në shkolla tha se po vëren mjedis të përmirësuar mësimor falë projektit në fjalë.
Imnadze gjatë diskutimit me fëmijët në klasa, u shpreh e lumtur që ata po arrijnë të kuptojnë rendësinë e klimës, mjedisit dhe kursimit të energjisë.
Rizvanolli theksoi se efiçienca e energjisë është një ndër prioritetet në strategjinë e energjisë.
Ndërsa, drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ahmet Ismaili tha se do të vazhdojnë edhe më tej me këto masa edhe në komuna të tjera.
Sipas IPA 2017, Bashkimi Evropian ka ndarë 10 milionë euro për Fondin e Mirëbesimit të menaxhuar nga Banka Botërore me qëllim të mbështetjes së operacioneve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (KEEF) në infrastrukturën publike komunale, duke përfshirë ndërtesat publike dhe ndriçimin publik.
Granti i BE-së është i kombinuar me 5 milionë euro kredi nga Banka Botërore si dhe bashkëfinancim nga Qeveria me 1 milionë euro/vit.
Bashkimi Evropian kërkon më tej të mbështesë Kosovën në zbatimin e strategjisë së re të energjisë (2022-2031) në veçanti në fushën e efikasitetit të energjisë dhe energjisë së rinovueshme.