Shtetasit amerikanë këshillohen të largohen nga Libani
Lexohet për: 2 min.
fr3f3
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Ambasada e SHBA në Bejrut u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Liban të hënën që të përgatisin plane krize dhe të largohen nga vendi mes frikës së një sulmi izraelit.

Tensioni është përshkallëzuar mes Hezbollahut dhe Izraelit pas një sulmi me raketa në qytetin Druze të Majdal Shams në Lartësitë Golan të shtunën.

Ndërsa Izraeli fajësoi Hezbollahun për sulmin, i cili vrau 12 persona dhe plagosi 40 të tjerë, grupi libanez ka mohuar çdo përgjegjësi.

“Ne u rekomandojmë qytetarëve amerikanë të zhvillojnë një plan veprimi për krizën dhe të largohen përpara se të fillojë kriza”, tha në video-mesazh ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështje Konsullore, Rena Bitter.

Bitter tha se "individët tashmë në Liban duhet të përgatiten të strehohen në vend për periudha të gjata kohore".

Sipas Radios së Ushtrisë së Izraelit, ushtria formuloi skenarë për një sulm të mundshëm ndaj Hezbollahut dhe i vendosi në tryezë për diskutime në nivel politik për të vlerësuar situatën.

Të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se Hezbollahu do të "paguajë një çmim të rëndë" për sulmin.

Frika është rritur për një luftë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut në mes të një shkëmbimi të sulmeve ndërkufitare midis dy palëve. /AA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024