Shtëpia e Bardhë fajëson Hezbollahun për sulmin në këndin e lojërave në Izrael
Lexohet për: 2 min.
Shtepia e Bardhe
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Shtetet e Bashkuara të Amerikës fajësojnë grupin libanez Hezbollah, i cili mbështetet nga Irani, për sulmin me raketa që vrau 12 fëmijë dhe adoleshentë dje në lartësitë e Golanit, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.

"Ky sulm u krye nga Hezbollahu libanez. Ishte raketa e tyre dhe u lëshua nga një zonë që ata kontrollojnë," tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson, duke shtuar se Shtëpia e Bardhë ka qenë në bisedime të vazhdueshme me zyrtarët izraelitë dhe libanezë që nga ajo kohë.

"Shtetet e Bashkuara po punojnë gjithashtu drejt një zgjidhjeje diplomatike përgjatë Linjës së Kaltër që do t'i jep fund të gjitha sulmeve një herë e përgjithmonë dhe do të lejojë qytetarët në të dyja anët e kufirit të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre," shtoi ajo.

Vija e kaltër i referohet kufirit midis Libanit dhe Izraelit. Gjatë natës, Izraeli nisi sulme ajrore kundër objektivave të Hezbollahut në Liban në përgjigje të sulmit ndaj Majdal Shams. Hezbollahu mohoi përgjegjësinë për sulmin, të cilin Izraeli e hodhi poshtë dhe njoftoi se do të përgjigjet "fuqishëm".

Raketa ishte një raketë iraniane e tipit Falaq me një kokë lufte që peshonte 53 kilogramë, sipas Izraelit. Vetëm Hezbollahu ka raketa të tilla, njoftoi Ministria e Jashtme izraelite.

Zyra e presidentit francez njoftoi se Emmanuel Macron kishte një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të cilit i tha se Parisi është plotësisht i përkushtuar për të shmangur "një përshkallëzim të ri në rajon".

Sipas Pallatit Elysee, Macron "përsëriti gjithashtu nevojën për të arritur një zgjidhje politike për çështjen e Linjës së Kaltër, bazuar në rezolutën 1701".

Sot, Libani bëri thirrje për hetim ndërkombëtar pas sulmit në të cilin u plagosën 30 të rinj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024