Gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës, 462 policë të rinj, kanë diplomuar sot përmes një ceremonie, të cilët pritet të kontribuojnë në sundimin e rendit dhe ligjit. Derisa 79 prej tyre janë nga komuniteti serb.
Në ceremoninë e diplomimit, Osmani u shpreh se “krenaria sot është jashtëzakonshme sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë që do t’i dalin zot atdheut tonë”.
Ajo tha se Policia e Kosovës është mburoja e paqes dhe lirisë.Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë.
Ai potencoi se 462 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës, prej tyre 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra. Ai shtoi se 343 prej të diplomuarve janë shqiptar, 79 serb, 23 boshnjak, 6 turk, 3 ashkali dhe 2 rom.
Sveçla u shpreh se me diplomimin e gjeneratës së 61-të, Policia e Kosovës do të jetë më e fortë dhe më e sigurt.
Sveçla potencoi se Kosova sot renditet e 22-ta në botë për ndjenjën e lartë të sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se ky institucion është një organizatë multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare.
Hoxha potencoi se sipas hulumtimeve viteve të fundit del se Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm i Republikës së Kosovës, duke shtuar se kjo shton edhe me shumë përgjegjësinë e tyre.
Ndërkaq, zëdhënësi i gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës, Granit Kosumi u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përpjekjeve për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.