Shqiptarët e Luginës protestojnë kundër pasivizimit të adresave
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Me thirrjet “Kthema adresën”, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë protestuar sot para stacionit policor në Medvegjë, për herë të tretë brenda pak muajve kundër veprimeve diskriminuese të Serbisë.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës, term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare, konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Në protestën e sotme ka marrë deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarja e Preshevës Ardita Sinani dhe pjesëtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Në protestat e mbajtura, fillimisht në Bujanoc, e më pas në Preshevë, u bë thirrje për njohje të diplomave të Kosovës, për integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, për lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.

Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.

Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.

Banorët e Luginës dhe udhëheqës të komunave kanë kërkuar disa herë që të ketë prani të mekanizmave ndërkombëtarë, në mënyrë që të monitorohen kushtet e jetesës në atë pjesë.

Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në Beograd për mos reagim ndaj trajtimit që u bëhet. Mungesa e investimeve dhe barrierat e vazhdueshme besohet se kanë ndikuar në largimin e rreth 20.000 shqiptarëve prej këtij rajoni, kryesisht drejt shtetit të Kosovës. /REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024