Ekonomia e Shqipërisë vazhdon trendin e rritjes, e nxitur nga konsumi privat dhe një sezon i mirë turistik dhe gjatë vitit të ardhshëm pritet të shënojë ngritje 3.8 për qind, sipas raportit të Komisionit Evropian, ku janë marrë në shqyrtim vendet anëtare të BE-së, ato të Eurozonës dhe vendet kandidate.
Sipas parashikimeve të KE-së, pas një rënieje të shpejtë në vitin 2024, inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin 3 për qind të Bankës Qendrore të Shqipërisë për vitin 2025.
Investimet u rritën më shpejt se në vitin 2023 dhe pritet të përshpejtohen në gjysmën e dytë të vitit 2024 për shkak të rritjes së shpenzimeve kapitale publike.
Bumi turistik shtyu eksportet e shërbimeve, ndërsa eksportet e mallrave vazhduan të tkurren për shkak të uljes se kërkesës nga Eurozona, rënie e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare dhe forcimi i kursit të këmbimit të lekut.Shkalla e papunësisë pritet të bjerë më tej, teksa emigracioni mbetet një problem pavarësisht përmirësimeve në tregun e punës.
Inflacioni është më shumë se përgjysmuar në 12 muajt e fundit në 1.9 për qind në shtator 2024.