Projekti historik për transformimin e lagjes “Kala” në Elbasan, synon rikthimin e saj në shkëlqimin e dikurshëm.
Ky projekt pritet të sjellë jo vetëm një rigjallërim kulturor dhe historik, por edhe një zhvillim të rëndësishëm ekonomik për qytetin.
Përmes këtij investimi do të krijohen mundësi të reja për bizneset lokale dhe do të promovohet Elbasani si një destinacion i rëndësishëm turistik.
“Kalaja e Elbasanit ka një histori të jashtëzakonshme, por ndërhyrjet e pas viteve ’90 e kanë dëmtuar shumë. Ky projekt është një ditë historike për qytetin tonë, sepse më në fund po marrim masa konkrete për të rikthyer Kalanë në vlerat e saj maksimale. Kjo do të sjellë një identitet të ri për Elbasanin dhe do të bëjë të mundur që fëmijët tanë, turistët dhe shqiptarët të njohin më mirë kulturën, traditat dhe historinë tonë”, tha Llatja.
Llatja u shpreh se “gjithashtu se kjo nismë shënon fillimin e veprimeve konkrete për rivitalizimin jo vetëm të Kalasë, por edhe të muzeve brenda saj, si Shtëpia e Lef Nosit, Muzeu i Arsimit dhe institucione të tjera brenda dhe jashtë Kalasë”.
Rikualifikimi i lagjes “Kala” është vlerësuar si një ndërhyrje me interes publik dhe një mundësi e shkëlqyer për rritjen e turizmit dhe zhvillimin e bizneseve lokale.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim sjell eksperiencën e tij të suksesshme nga qytete të tjera shqiptare dhe një mbështetje të rëndësishme financiare për zbatimin e projektit.
Në fazën e parë, projekti përfshin analizimin e të dhënave urbanistike të Kalasë dhe hartimin e një koncepti të detajuar për rikualifikimin e saj.
Kalaja e Elbasanit dhe historiku i saj
Kalaja e Elbasanit është një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare, e cila daton që në qindvjeçarët e parë të mijëvjeçarit të parë. Sipas studimeve dhe analizave mbi fortifikimet romake në Ballkan, ndërtimi i saj lidhet me periudhën e sundimit të perandorit romak me origjinë ilire, Diokleciani (284-305 pas Krishtit).
Periudha e vonë Romake (shekujt III-IV) ku gjatë saj kalaja u ndërtua si një fortifikim strategjik dhe ushtarak, duke shërbyer si mbrojtje kundër sulmeve barbare dhe një pikë e rëndësishme kontrolli për rrugët e komunikimit romake, si Via Egnatia.
Periudha e hershme Bizantine (shekujt V-VI), ku Kalaja u rindërtua dhe u përforcua për t’iu përshtatur zhvillimeve të reja ushtarake dhe kërcënimeve nga popujt gotë e sllavë. Ndikimi bizantin është ende i dukshëm në elementët arkitektonikë dhe në trashëgiminë kulturore të zonës.Kalaja e Elbasanit mbetet një nga atraksionet kryesore historike dhe turistike të Shqipërisë, duke ruajtur gjurmët e të tri periudhave historike. Ky monument i jashtëzakonshëm dëshmon për rëndësinë strategjike dhe kulturore të qytetit në histori, ndërsa projektet e fundit synojnë të ruajnë dhe të promovojnë këtë trashëgimi unike.