Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje strategjike energjetike me vlerë 6 miliardë dollarë me SHBA dhe Greqinë, e cila sipas kryeministrit Edi Rama do të shndërrojë Vlorën në një pikë kritike për energjinë në Europën Juglindore.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, kryeministri Edi Rama theksoi se ky projekt është pjesë e transformimit të sektorit energjetik, duke kaluar nga një vend i varur nga energjia hidrike dhe importet, në një vend eksportues neto të energjisë së ripërtëritshme.
Sot ne vijmë nga veriu ku jo shumë kohë më parë prezantuam një investim me SHBA për energji nga era, e më pas në jug. Këto janë pjesë të një transformimi që ne po e nisim nga Vlora. Ai që sot është ende një aset që nuk kemi mundur ta përdorim për shkak të mënyrës së gabuar të investimit të parave të shqiptarëve, do të shndërrohet në një aset kaq të vlefshëm sa do t’i japë Shqipërisë pozitën e një qendre energjetike që përfshinë prodhimin e energjisë, infrastrukturën dhe tregjet rajonale. Çfarë e bën veçanërisht të fuqishëm partneritetin midis Shqipërisë dhe SHBA është natyra gjithëpërfshirës e këtij partneriteti sepse kombinon sigurinë afatgjatë të furnizimeve, zhvillimin e infrastrukture kritike, ekspertizën e sektorit privat dhe një angazhim të përbashkët gjeopolitik ndaj qëndresës energjetike”, theksoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se partneriteti me SHBA dhe Greqinë kombinon sigurinë afatgjatë të furnizimeve, zhvillimin e infrastrukturës kritike dhe angazhimin gjeopolitik për një rajon të qëndrueshëm e të begatë. Ai e cilësoi marrëveshjen si një hap të guximshëm që i jep Shqipërisë një rol të ri në tregjet rajonale të energjisë.Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhës, fluksi i energjisë shkon përmes Ballkanit perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve dhe kjo na bën krenarë. Partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA përçon sot një mesazh të qartë: edhe vendet e vogla mund të marrin hapa të guximshme dhe mund të bëhen pjesë e zgjidhje të disa prej sfidave më të ngutshme të kohëve tona. Mesazhi i sotëm nuk mund të jetë më i qartë se kaq kur vjen fjala për të lidhur nevojën jetike për energji me nevojën jetike për liri dhe demokraci, për të mos u mbështetur tek aktorë që mund të ofrojnë energji, por po kështu mund të të vënë në pozitë të vështirë në raport me objektivin për të forcuar demokracinë. Dua të theksoj rëndësinë e kësaj marrëveshje”, tha Rama.
Kryeministri shprehu mirënjohje edhe për ambasadoren amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, e pranishme në ceremoni, raporton RTSH.