Ndonëse po rritet vazhdimisht, paga minimale në Shqipëri vijon të mbetet më e ulëta në vendet e Evropës, që e zbatojnë një politikë të tillë.
Sipas të dhënave të fundit të përditësuara të Eurostat, në fillim të vitit 2023, paga minimale në Shqipëri ishte 297 euro/muaj.
Paga minimale në Shqipëri është tashmë 45% më e ulët sesa në Serbi, ku asnjë punonjës nuk merr më pak se 460 euro në 2023-n, shkruan OraNews.
Në Mal të Zi, paga minimale është 533 euro.
Në 6-mujorin e parë 2018, paga minimale në Shqipëri ishte 100 euro më e ulët se në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Ndërsa në fillim të vitit 2023, paga minimale në Serbi është 192 euro më e lartë sesa në Shqipëri. Një punonjës në Mal të Zi merr minimalisht 234 euro më shumë se një i punësuar me pagë minimale në Shqipëri.
Të njëjtat diferenca janë edhe për pagat mesatare në rajon, sipas një vëzhgimi të mëparshëm të Monitor, ku mesatarisht punonjësit shqiptarë paguhen 40% më pak se në vendet e tjera të rajonit.
Aktualisht paga minimale në vend është në nivelin e 34 mijë lekëve.
“Do të rrisim edhe një herë tjetër nivelin e pagës minimale, që e kemi rritur dy herë këtë vit. Do e çojmë në 36 mijë lekë të reja, me synimin që ta rrisim edhe një herë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, do e çojmë në 38 mijë lekë të reja”, deklaroi asokohe kryeministri.
Paga minimale u rrit për herë të fundit më shtator të vitit të kaluar.
Vendet e BE-së pa pagë minimale kombëtare ishin: Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Pagat minimale mujore ndryshojnë shumë në shtetet anëtare, nga 399 euro në Bullgari në 2 387 euro në Luksemburg.
Ndër shtatë vendet kandidate dhe kandidate potenciale, pesë kishin një pagë minimale kombëtare (Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Turqia) ndërsa nuk ka Bosnje-Hercegovina (nuk ka të dhëna për Kosovën).
Grupi 1, me një pagë minimale kombëtare mbi 1 500 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Luksemburgu, Gjermania, Belgjika, Holanda, Irlanda dhe Franca. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1 709 euro në Francë në 2 387 euro në Luksemburg.
Grupi 2, me një pagë minimale kombëtare më të lartë se 1 000 euro por më e ulët se 1 500 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Sllovenia dhe Spanja. Pagat e tyre minimale kombëtare ishin 1 167 euro në Spanjë dhe 1 203 euro në Slloveni.
Të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale me një pagë minimale kombëtare i përkasin grupit 3, me nivele të pagave minimale që variojnë nga 298 euro në Shqipëri në 532 euro në Mal të Zi, raporton Eurostat.