Ministria për Evropë dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) ka thirrur më 13 maj në bisedë ambasadorin e Serbisë në Tiranë Sllobodan Vukçeviq, nga i cili ka kërkuar sqarime për deklaratën e zëvendëskryeministrit Aleksandar Vulin mbi takimin e kryeministrit Edi Rama me diasporën shqiptare më 12 maj në Greqi.
Vulin ka pretenduar se “Shqipëria e Madhe” mund të ndalet jo vetëm nga serbët dhe “Bota serbe”, por nga grekët.
“Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë”, shtohet tutje në deklaratë.
MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian.