Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Rob Bauer, ku ka vlerësuar angazhimin e NATO-s në rajon dhe rolin e misionit të KFOR në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Begaj në këtë takim ka thënë se Shqipëria mbështet dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA në drejtim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare që do çojë në njohje reciproke.
Presidenti Begaj e falënderoi Admiralin Bauer për vizitën në Shqipëri në këtë kohë sfidash për paqen dhe sigurinë në hapësirën euro-atlantike, si pasojë e agresionit të paligjshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kreu i shtetit bëri me dije se Shqipëria mbetet e angazhuar në misione dhe operacione të NATO-s, ka rritur kontributet për vitin 2023 në KFOR, dhe është e gatshme për rritjen e tyre nëse do të jetë e nevojshme.
Sipas një komuniate të Presidencës së Shqipërisë, kreu i shtetit diskutoi edhe lidhur me sulmin kibernetik të sponsorizuar nga Irani ndaj Shqipërisë dhe vlerësoi bashkëpunimin me NATO-n për rikuperimin nga ky sulm. Në këtë drejtim Presidenti Begaj vlerësoi thellimin e bashkëpunimit dhe kontributit që struktura, agjenci dhe entitetete të NATO-s mund të japin në drejtim të forcimit të mbrojtjes kibernetike.