Ekspertët në Shqipëri kanë ngritur alarmin për rritjen e çmimeve dhe krizën e drithërave si pasojë e borxhit të energjisë dhe luftës në Ukrainë. Eksperti i energjisë, Eduard Elezi deklaroi për TV MCN në Shqipëri se borxhi i energjisë është shumë i madh dhe rritja e çmimeve është e pashmangshme.
“Sektori i energjisë duhet të kishte pasur një kujdes të madh sepse kolapson gjithë bizneset përmes tarifave. Po flasim për bankën botërore që është një institucion financiar dhe mund të kishte shumë politika qeveria shqiptare për të zbutur krizat. Por kur BB shprehet se do të ketë rritje të tarifave atëherë borxhi i energjisë është shumë i lartë sepse këto kompani kanë një aktivitet të lartë dhe nuk mund të marrin dot borxh. Dhe kur ata s’kanë më mundësi tjetër atëherë do të ketë padyshim mpakte me rritjen e produkteve. Do të ketë një efekt dhe një vështirësi zinxhir në të gjitha hallkat e ekonomisë shqiptare”, tha Elezi.
“Lufta në Ukrainë ka tronditur gjithë rajonin, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Ky konflikt ka ndërprerë flukset e investimeve dhe të tregtisë së jashtme, si dhe ka vënë në pikëpyetje rimëkëmbjen”, thekson raporti.
I pyetur se çfarë mund të bëhet për të zbutur efektet dhe se ku mund të ndërhyhet, Elezi tha se shteti po punon për të mbushur arkën e vet personale.
Ndërsa Theodhor Kristuli nga Unioni Tregtar Agro-Ushqimor ka folur në studion e lajmeve në MCN Live për krizën e drithërave. Kristuli tha se krizën nuk na e solli lufta por që është e brendshme dhe ka nisur që nga pandemia.
“Që në kohën e pandemisë kjo krizë ka qenë nisur. Energjia është tregues në rritjen e kostos së drithërave dhe jo vetëm. Ke përpunimi i drithërave dihet se ne kemi 8 fabrika kryesore dhe kanë konsum të madh të energjisë. Aktualisht në elementin e kostos energjia faturohet për prodhimin e miellit 2 herë më shumë se nga 1 janari. Nuk është lufta që rriti çmimet. Është problemi i brendshëm. Nuk dimë ku jemi m elementët e kostos. Bursat e grurit janë stabilizuar, kanë rënë 15 dollarë për tonë. Kjo tregon që ne po hamë nga prodhimet e dikurshme. Ajo që vjen mbrapa mendoj se do të jetë më e vështirë. Ne në Kroaci kemi marrë 3 mijë tonë. Ne kemi përdorur grurin nga serbi, me parametra më të dobët por më i lirë. E shikoj më të vështirë situatën. Mbi 65% e vajit të lulediellit e prodhon Ukraina, duhet të ishte mbjellë në mars, toka nuk është punuar. Sa të bëhet strukturimi i prodhimit, na presin ditë të vështira. Jo se do të ngelim pa punë, e vetmja që do të fitojë do të jetë qeveria", tha Kristuli.
Më 4 maj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko thotë se ekonomia shqiptare do të vuajë gjatë pasojat e luftës në Ukrainë.
Çmimet, veçanërisht të ushqimeve dhe karburanteve do të mbajnë normën e inflacionit të lartë, që pritet të kthehet në objektivin prej 3% të bankës qendrore vetëm në pjesën e parë të vitit 2024.