Policia e Lezhës ka zbuluar në Fushë-Kuqe një bazë ku furnizoheshin me mjete, grupe kriminale, me qëllim kryerjen e krimeve të rënda kundër personit.
Gjatë operacioni të policisë u sekuestrua një automjet me ndërhyrje në të për fshehje të dhënave, 5 motomjete dhe 4 palë targa të vjedhura në Shqipëri dhe Kosovë, sasi lënde plasëse me fitil zjarr-përcjellës, veshje për kamuflazh dhe sende të tjera që shërbenin për kryerjen e krimeve.
“Në fshatin Gorre, njësia administrative Fushë Kuqe, shërbimet e Policisë Kriminale të Lezhës dhe ato të FNSH Shkodër, kanë kryer kontrolle në një banesë të vjetër në pronësi të shtetasit A. L. Nga kontrollet në brendësi dhe përreth saj, janë gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “Mazda”, me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit; pesë motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur; katër palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë; 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarr-përcjellës, e gatshme për shpërthim; kapela si maska, doreza dhe skafandra motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.
Shtetasi A. L. (40) akuzohet për veprat penale sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, trafikim i mjeteve motorike, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit dhe vjedhja, bëri me dije policia. /EuronewsAlbania