Shqipëri, Rrumbullaku: Plan të detajuar masash për Samitin, perimetri i sigurisë i pacënueshëm
Lexohet për: 4 min.
df
2 vite më parë
Linku u kopjua

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Muhamet Rrumbullaku, deklaroi sot se janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit të samitit Bashkimi Evropian- Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në 6 dhjetor në Tiranë.

Në një konferencë për shtyp, Rrumbullaku tha se zhvillimi i samitit në Tiranë, tregon më së miri se Shqipëria është vend i sigurt dhe demokratik.

“Nisur nga rëndësia institucionale dhe nga impakti publik që ka ky event, Policia e Shtetit është e angazhuar me maksimumin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke  bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve. Nisur dhe nga përvoja e aktiviteteve shumë të rëndësishme të zhvilluara më parë, Policia e Shtetit ka fituar përvojën e duhur dhe besojmë se edhe në këtë rast, Policia e Shtetit do të tregojë përkushtim dhe profesionalizëm, duke i bërë një shërbim të çmuar imazhit të vendit”, nënvizoi Rrumbullaku.

Ai siguroi nxënësit, punonjësit e institucioneve, banorët rezidentë brenda perimetrit të sigurisë, por dhe jashtë tij, se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi, punë e aktiviteti të përditshëm, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve në disa akse rrugore, për të cilat Policia e Shtetit ka marrë masa për devijimin e lëvizjeve në rrugë alternative, me qëllim që të mos ketë pengesa për vijimin normal të aktiviteteve gjatë datës 6 dhjetor.

“Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike të një grupi protestuesish”, theksoi ai.

Rrumbullaku u shpreh se “Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar”.

Ne, vijoi Rrumbullaku, kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta.

Rrugët që do të bllokohen janë:“Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium; Rruga “Dervish Hima”; Rruga “Asim Zeneli”; Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”. Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor; “Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”. Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”, shkruan ATSH

Perimetri do të fillojë aktivizimin nga ora 14:00 e datës 5 me kufizimin e perimetrit të përcaktuar nga policia. Ky perimetër do të mbahet deri në përfundimin e samitit dhe largimin e të gjitha personaliteteve nga Shqipëria.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024